
Era e një kujtimi Disa ditë janë të mjegullta edhe kur ka diell; ajo mjegull e mendjes që të rrëmben në dallgët e saj, të habit me ato që të sjell në kujtesë… Padashur, sikur shfleton librin e kujtimeve të tua me një shpejtësi drite, pastaj mendja të mbetet tek disa… Tek disa kujtime që lënë shenjë, tek disa që të lënë pa frymë e tek disa që i ndjen ende si të ishin aty, si një puhizë e lehtë që të përkëdhel fytyrën… Mbetesh mes dy botësh; asaj që je dhe asaj që ishe dikur. Sheh veten të vogël në një kujtim të largët, atje ku po e haje bukën e sheqerosur, të sapodalë nga furra. Pastaj sheh veten në pasqyrë dhe kupton që ajo ishte vetëm një kujtim i dashur nga dikur… Pastaj, sikur ndalesh në një kapitull të ri; atje ku zemra fillon të rrahë ndryshe, ku çdo rrahje ka një kuptim dhe ti mbushesh me lumturinë që e ndjeje dikur. Pastaj sheh çdo gjë rreth vetes, gjithë atë perandori të ndërtuar me sfida, me lot e me dhimbje; sheh që kurora që mban sot është më meritore se gjithë perandoria… Sytë mbushen me lot, zemra rreh fort, e ti jeton një jetë të tërë brenda pak çastesh, falë erës së një kujtimi