“BIBLIOTEKA E ËNDRRAVE TË HARRUARA ” Shkruan Blerta

BIBLIOTEKA E ËNDRRAVE TË HARRUARA

Qyteti flinte, flinte pa një orar të caktuar. Shpesh mbyllte sytë në kulmin e zhurmës, ndërsa në skajin e një rruge pothuajse të harruar nga njerëzit ndodhej një shtëpi librash, një bibliotekë që dikur lulëzonte me ngjyra të arta, ndërsa tani sikur kishte rënë në gjumin e moshës. Pak kush ia hapte derën.

Njëherë pata dëgjuar se aty kishte disa tituj që nuk i gjeje lehtë…

Në mesin e turmës së qytetit të fjetur u shkëputa drejt saj, me entuziazmin se do të gjeja shkrime vërtet të rralla.

Tek shkallët e drunjta vërejta rrudhat e moshës së saj, pastaj një derë të madhe druri, po ashtu, që të jepte përshtypjen e një kështjelle të vjetër.

E shtyva derën ngadalë për të mos penguar lexuesit, por në fakt brenda ishte vetëm kujdestari i saj.

Urdhëro, — më tha me një ton të qetë dhe një fytyrë që dukej po aq e vjetër sa vetë objekti.

Këtu gjen parajsën, — më tha. Kërko mirë. Po të duhet diçka, jam këtu.

Dhe u largua në një qoshe të errët ku nuk shihej më.

Po ecja ngadalë drejt rafteve të librave dhe sikur ndjeja se unë isha këtu, edhe pse ishte hera ime e parë që po shkelja aty.

Nga dritaret e mëdha, dielli sikur hynte i zbehtë, vetëm sa për të parë pluhurin dhe për të lexuar titujt.

Nga shumë libra zgjodha një që më tërhoqi zemrën. E mora dhe u ula në një bankë të vjetër, e gjitha e gdhendur me emra. Kjo më dha një ngrohtësi ndryshe. Nuk e di se çfarë po ndjeja në ato çaste, por sërish më dukej si një ditë e përsëritur, e jetuar më parë nga unë, dhe kjo gjë më habiste.

Hapa librin, ku në çdo faqe të lexuar vëreja nënvizime, emra, iniciale, thënie të shkruara me dorë e, jo rrallë, edhe dëshira.

Për kohë të gjatë ai vend u bë streha ime. Aty kuptova se dashuria ekzistonte gjithmonë, si për librin ashtu edhe për zemrat, por të paktë ishin ata që i rezistonin kohës për ta ruajtur dhe mbajtur atë.

Ëndrra të shumta, që ishin edhe kryeveprat e atij vendi… Shpesh sytë nuk i mbanin lotët.

Kur bibliotekisti më vërejti se isha e rregullt dhe e kuptoi se interesi im ishte i sinqertë e plot entuziazëm, më tha:

Ëndrrat, dëshirat, premtimet… të gjitha mbetën këtu me t’u mbyllur dera e madhe. Asnjë nuk gjeti guximin të kthehej prapa.

Pastaj heshti për një çast dhe shtoi:

Ndërsa ti…

Mirë se vjen në Bibliotekën e Ëndrrave të Harruara…

Nga ajo ditë, sa herë hapja derën e atij vendi, mësoja një histori të re, një ëndërr që kur ishte shkruar mendohej të shihte dritën, por ato mbetën aty, të fjetura nën dritën e kohës…

Një fundjavë me shi nuk rezistova të mos shkoja. Ashtu, e qullur nga shiu, hyra me nxitim brenda.

Bibliotekisti, që unë tashmë e quaja xhaxha, sikur po më priste tek dera. Buzëqeshi sa më pa.

Po sot çka kërkon? — më pyeti.

Dhe unë, me një buzëqeshje të sinqertë, ia ktheva:

Një ëndërr të harruar.

Sytë e tij ndriçuan, sikur donte të më tregonte diçka, por u ndal.

U nisa drejt librave të fjetur.

Sot zgjodha diçka tjetër. Një libër që nga kopertina nuk mendoj se do ta merrte dikush në dorë. Ishte aq i vjetër, ngjyrat i ishin fshirë dhe fletët e tij ishin thuajse të gjitha të shkëputura.

Doja ta lija, por sikur më tha:

“Unë jam ai që kërkon.”

E mora dhe u ula.

Fillova të lexoj ngadalë.

Në çdo rresht të tij sikur gjeja veten time.

Fillimisht një vogëlushe.

Pastaj një vajzë që ëndërronte.

Dhe libri vazhdonte, e unë e gjeja veten aty sërish e sërish…

Në një nga fletët e shkëputura të tij shkruhej:

“Dera e bibliotekës u hap. Hyri ai. Ai që kisha ëndërruar netëve të gjata pa gjumë, por që nuk e kisha parë kurrë. Një fytyrë dielli që ndriçonte gjithë vendin dhe unë mbeta e shtangur. Një shikim që më verboi dhe zemra sikur dilte nga kraharori. Nga ajo ditë ai u bë ëndrra dhe realiteti im, loti dhe buzëqeshja, dëshira ime e pasosur ndaj librit dhe dashuria ime që nuk ia thashë askujt.”

Kjo më ngjalli shumë kureshtje. Sikur të kisha mundësi ta lexoja gjithë librin në pak minuta.

Xhaxhai plak më tha:

O vajza e librit, eja merr një çaj që të ngrohesh pak.

Më erdhi keq ta refuzoja. Mora gotën e çajit me të dyja duart, si një gjë shumë të çmuar, dhe teksa po drejtohesha, dera u hap.

Në derë u shfaq personazhi që sapo e kisha lexuar në rreshta.

Ishte aq i bukur sa mbeta pa fjalë.

Ai buzëqeshi dhe u nis drejt nesh, i qullur ashtu si unë pak më parë.

Xhaxhai plak, duke qeshur, i tha:

Ke ngatërruar derë apo ndoshta të solli shiu?

Ai qeshi sërish dhe tha:

E ndoqa zemrën dhe më solli këtu…

Pastaj hodhi vështrimin përreth, sikur po kërkonte diçka që e kishte humbur prej kohësh. Gishtat i kaluan lehtë mbi kapakët e librave të vjetër, ndërsa buzëqeshja nuk i largohej nga fytyra. Për një çast sytë tanë u kryqëzuan dhe të dy i larguam menjëherë, sikur të kishim zbuluar një sekret që ende nuk duhej thënë.

Zemra ime po rrihte aq fort, nuk e di nëse po jetoja në fragmentin e librit apo kjo po më ndodhte mua.

Ne të dy u bëmë shokë të mirë. Çdo ditë lexonim bashkë, madje herë pas here edhe me zë për njëri-tjetrin. Kishte edhe lotë, edhe të qeshura.

Kishte ditë kur shiu binte pa pushim dhe ne harronim kohën mes rafteve të librave. Herë ai më lexonte faqet që i pëlqenin më shumë, herë unë i lexoja poezitë që më prekën zemrën. Ndonjëherë nuk flisnim fare; mjaftonte prania e njëri-tjetrit dhe zhurma e lehtë e faqeve që ktheheshin.

Ditë pas dite ishim ne protagonistët e ëndrrave të harruara të asaj biblioteke dhe xhaxhai plak na shikonte me një admirim të thellë, por gjithmonë me sytë e mbushur me lot.

Shpesh e shihja duke vështruar nga dritarja. Në fytyrën e tij shfaqej një buzëqeshje e zbehtë, por sytë i mbusheshin me mall. Sikur priste dikë që kishte premtuar të kthehej dhe nuk kishte ardhur kurrë.

Dy të rinj që shiheshin si shokë, por thellë brenda tyre ndjenin një zjarr të pashuar që shtohej çdo ditë. Herë pas here shtrëngonim duart dhe bota ishte e jona.

Ne e kuptonim që ky zjarr quhej dashuri, por donim që të na digjte pa mbarim.

Kur libri i vjetër po përfundonte, vendosa ta lexoja me zë, ashtu që ta dëgjonte edhe xhaxhai plak.

Historia nuk po mbaronte mirë, ndërsa ne të tre dridheshim.

Kur e mbylla librin, jashtë shiu kishte pushuar. Rrezet e fundit të pasdites hynin përmes dritareve të mëdha dhe binin mbi librin e vjetër. Për një çast m’u duk sikur faqet e tij po ndriçonin. Sikur historia që kishte fjetur për dekada po merrte frymë përsëri.

Xhaxhai plak u afrua duke na bashkuar duart mua dhe shokut tim.

Na pa në sy dhe na tha:

Ky djali që shkroi librin isha unë. Vajzën që e doja me shpirt e takova brenda këtyre mureve. Ne mendonim se do të jetonim përgjithmonë bashkë, por asgjë nuk u bë siç ëndërruam. Ajo mbylli derën e kësaj biblioteke, duke më lënë të burgosur përgjithmonë këtu.

Për një çast heshti.

Pastaj buzëqeshi lehtë.

Uroj që ju ta ndryshoni këtë histori.

Dhe nga Biblioteka e Ëndrrave të Harruara, librin tuaj ta mbushni me ëndrra të realizuara.

morrisi.2019@gmail.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Like