
Sot në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit, Shoqata jonë “Penda” realizoi daljen e saj të parë publike përmes një aktiviteti të rëndësishëm kulturor dhe shkencor, me promovimin e librit “Shqipëria Veriore (1878–1918) dhe impakti i fuqive evropiane” .
Libri përmbledh aktet e konferencës shkencore ndërkombëtare të mbajtur në Shkodër, më 18 tetor 2024.
Në këtë aktivitet referuan me fjalën e tyre:
Fjalën e rastit në emër të shoqatës e mbajti:
Sidorela Berishaj – Nënkryetare e Shoqatës “Penda”
Fjala e nderit:
Gjergj Leqejza – Konsulli i Nderit të Austrisë në Shkodër
Panelistët:
Prof. Dr. Nertila Haxhia Ljarja
Dr. Dom Nikë Ukgjini
Prof. Dr. Adnan Prekiq
Mark Junçaj – Historian dhe kryetar i Shoqatës “Penda”
Aktiviteti u moderua nga Nevila Nikaj, anëtare e shoqatës.

Si një shoqatë e re e themeluar në Komunën e Tuzit, “Penda” synon të jetë një platformë e hapur për promovimin e dijes, kulturës dhe vlerave tona kombëtare.
Misioni i shoqatës “Penda” është dhënia e kontributit në edukimin dhe pasurimin kulturor të shoqërisë përmes aktiviteteve që e mbështesin kërkimin shkencor, promovimin e artit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, historike, letrare dhe gjuhësore.
Vizioni i kësaj shoqate është të ndërgjegjësojë shoqërinë për vlerat që i ka zona e Malësisë së Madhe dhe synimi i krijimit të aktiviteteve dhe iniciativave që i japin zë kulturës dhe historisë sonë dhe që e bëjnë atë më të gjallë ndër breza.
Gjatë këtij promovimi, të pranishmit patën mundësinë të njihen më nga afër me përmbajtjen e librit dhe rëndësinë e periudhës historike që ai trajton.
Diskutimet e zhvilluara theksuan rolin e studimeve historike në kuptimin e së kaluarës dhe ndikimin e saj në ndërtimin e së ardhmes.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm për Shoqatën “Penda” dhe një fillim premtues në angazhimin tonë për të sjellë më shumë aktivitete të tilla në të ardhmen, në shërbim të komunitetit dhe zhvillimit kulturor në Komunën e Tuzit.