
Nga Ferit Hoxha
Saliu lindi në vitin 1923, në fshatin Mëneri i Sipërm (Zgurë), në zemër të Krahinës së Bendës, në një familje të thjeshtë, por thellësisht artdashëse.
Ai ishte i biri i një lahutari të njohur Hajdinit, i cili e shoqëroi gjithë jetën me tingujt e lahutës, duke ia trashëguar djalit jo vetëm instrumentin, por edhe shpirtin e këngës epike shqiptare.
Emri i tij u bë i njohur jo vetëm në Bendë, por edhe përtej saj, si simbol i qëndresës kulturore dhe i trashëgimisë së gjallë folklorike.
I rritur mes këngëve, legjendave dhe rrëfimeve epike, Hajdini nuk u nda kurrë nga lahuta. Ai e mbajti atë në duar deri në ditët e fundit të jetës, duke u ndarë nga kjo botë në moshë mbi njëqindvjeçare, por duke lënë pas një trashëgimi të pasur shpirtërore e artistike. Përveç gjurmëve të pashlyeshme në folklorin e zonës, ai la edhe një vazhdimësi familjare në art, duke ia trashëguar këtë pasuri të birit, Saliut (Salës), siç njihej gjerësisht në krahinë.
Kur arti, kultura dhe folklori bëhen pjesë e trashëgimisë familjare, rrënjët e tyre janë më të thella dhe pema artistike bëhet më e qëndrueshme. Vazhdimi i traditës së këngës epike e lirike dhe i interpretimit të instrumenteve popullore nga Sala përbënte një tjetër sukses të kësaj familjeje me tradita të rralla folklorike. Bashkë me artin, kjo familje trashëgoi edhe një vlerë të shenjtë shqiptare: mikpritjen, tipar karakteristik jo vetëm i Krahinës së Bendës, por i mbarë kombit.
Shtëpia e Salës, herë pas here, shndërrohej në një “Odë Burrash”, ku përveç pritjes së miqve, këndoheshin këngët më të vjetra tradicionale, të trashëguara brez pas brezi. Aty kumbonin tingujt e lahutës, çiftelisë, laurit, fyellit, pipzave, cigonës e instrumenteve të tjera popullore.
Veçanërisht interesante ishte fakti se Saliu dinte t’u binte pothuajse të gjitha këtyre veglave muzikore, një aftësi e rrallë që e veçonte mes artistëve popullorë të kohës.
Këto instrumente, të përdorura nga populli shqiptar prej shekujsh, janë ruajtur me fanatizëm nga brezat, ashtu siç ndodhi edhe në familjen e Salës. Megjithëse shtrirjen më të madhe e kanë në Veri të Shqipërisë dhe në Dardani, ato kanë gjetur “habitat” të përshtatshëm edhe në Shqipërinë e Mesme e deri në Jug. Krahina e Bendës, pjesë e Malësisë së Tiranës dhe Krujës, e shtrirë mes Vargmalit të Skënderbeut dhe masivit Krujë–Dajt, me pyjet e dendura, burimet ujore të Selitës, Malit me Gropa, Bovillës dhe Kroin e “Nënës Mbretëreshë” në Qafë Shtamë, ishte një burim i pashtershëm frymëzimi për Salën dhe shumë artistë të tjerë popullorë.
Sali Hajdini mbeti i veçantë në çdo aspekt: bujar, mikpritës, fjalëpakë dhe thellësisht i përkushtuar ndaj artit. Në çdo dasmë, gëzim familjar apo sebep tjetër, brenda dhe jashtë krahinës, ai këndonte dhe interpretonte kryesisht me lahutë, por edhe me instrumente të tjera sipas rastit. Prania e tij ishte gjithmonë qendër vëmendjeje, sepse ai nuk interpretonte thjesht këngë, por përcillte histori, kujtesë dhe identitet.
Veprimtarinë e tij artistike e nisi që në rini, duke u angazhuar fillimisht me Grupin Artistik të fshatit Mëneri i Sipërm. Rreth tij u mblodhën këngëtarë dhe valltarë si Selim Hysa, Ibrahim Koçi, Kade Meta, Nadire Sula, Life Hysa e të tjerë. Grupi krijoi një repertor të pasur, duke përfshirë këngë të reja me tekst kryesisht nga Selim Hysa, të shoqëruara me lahutë nga Sala, çifteli nga S. Hysa dhe fyell nga I. Koçi, si dhe valle tradicionale të interpretuara nga vajzat e zonës.
Megjithëse mentaliteti i kohës nuk ishte gjithmonë favorizues, rreth viteve ’70 Sali Hajdini arriti të krijojë një grup artistik të plotë, duke përfshirë edhe vajzat, një hap i guximshëm për kohën, që theu tabu dhe hapi rrugë të reja për përfshirjen e gjerë në artin popullor.
Repertori i tij ishte i gjerë dhe i kërkuar. Përveç këngëve me grupin, ai interpretonte edhe shumë këngë solo, të shoqëruara me lahutë. Ndër më të njohurat dhe më të kërkuarat ishin këngët për Hajredin Pashën, Isuf Pulën, Islam Lilën, “Vijnë Pamporet”, kënga për Veli Allën, kënga e Pashames për Avlla Muçën, e shumë të tjera.
Pas afirmimit si lahutar, ai u bë pjesë e Grupit Artistik të Shtëpisë së Kulturës Zall-Bastar, me të cilin mori pjesë në Dekadat e Majit, në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër dhe në koncerte të shumta të organizuara nga rrethi i Tiranës. Për nivelin e lartë artistik u vlerësua me çmime, tituj dhe mirënjohje të shumta. Në shumë aktivitete, Sala hapte programin si lahutar dhe këngëtar tashmë i afirmuar në rang kombëtar.
Për Krahinën e Bendës, Sali Hajdini do të mbahet mend gjatë, jo vetëm për vlerat artistike, por edhe për ato njerëzore e humane. Edhe sot, emri i tij përmendet me respekt, ndërsa këngët dhe interpretimet e tij, veçanërisht me lahutë, kujtohen me krenari.
Me Sali Hajdinin krenohet jo vetëm fisi dhe fshati i tij i lindjes, por mbarë Krahina e Bendës. Ai mbetet shembull i gjallë i ruajtjes dhe përcjelljes së traditës folklorike brez pas brezi, amanet që ai vetë e la trashëgim. Këtë e dëshmon edhe vajza e tij, Sulltana, e cila tregon se si Sala i mblidhte njerëzit rreth vetes, duke i ftuar ta shoqëronin me këngë e tinguj.
Jemi krenarë për figura të artit dhe kulturës si lahutisti i Bendës, Sali Hajdini, si dhe për shumë instrumentistë, këngëtarë e valltarë të tjerë, falë të cilëve kjo traditë nuk është shkëputur, por vazhdon të jetojë e të pasurohet, duke u përfaqësuar denjësisht nga Ansambli Artistik “Benda” në skena brenda dhe jashtë atdheut.
(Të dhënat janë marrë nga libri “Për historinë, arsimin dhe vlerat humane”, me autor Ibrahim Kabili)
MIRNJOHJE PËR KONTRIBUTIN DHE VLERAT QË NA TRASHËGOI KËNGËTARI DHE INSTRUMENTISTI SALI HAJDINI !
Përgatiti materialin: F. Hoxha
