Villareal fiton Ligën e Europës! Mund Mançester Junajtid pas 22 penalltish

0
211

Vazhdon dominimi spanjoll në Ligën e Europës. Vijarela ka mundur sot Mançester Junajtid në finalen e turneut dhe ka bërë të vetën kupën e dytë për nga rëndësia në kontinent, duke konfirmuar kështu një dominim që sheh 7 fituese nga La Liga në 10 vitet e fundit.

“Nëndetësja e verdhë” zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë ndaj Junajtid, dike e vënë në vështirësi sidomos në pjesën e parë e duke kaluar në avantazh me Morenon. Goli zgjoi Junajtid që reagoi dhe gjeti barazimin në pjesën e dytë me Kavanin e më pas u mundua të mbyllte sfidën, por nuk ishte i saktë përballë portierit Rulli.

Kështu, 90 minutat u mbyllen pa gola të tjerë dhe shkoi në shtesa, por përsëri pa shumë raste për t’u shënuar, pasi ekipet ishin të vëmendshme të mos bënin një gabim fatal. Si rrjedhojë, fituesi i kësaj ndeshje duhej përcaktuar nga 11-metërshat, ku dy skuadrat u treguan specialiste të mirëfillta.

20 gjuajtjet e para nuk u gabuan, në të gjitha rastet me topin që shkoi në rrjetë edhe kur kishte devijime të lehta të portierëve. Më pas e kishin radhën pikërisht gardianët e të dy ekipeve. Rulli shënoi me saktësi para De Geas, ndërsa ky i fundit u hipnotizua nga homologu i tij dhe pa t’i neutralizohej gjuajtja, duke i dorëzuar trofeun Vijarealit të drejtuar nga Unai Emeri. Trajneri konfirmohet një ekspert i sukseseve në këtë turne, pasi e ka siguruar për herën e katërt, me tre të parët që i ngriti lart me Seviljen.Vijareal-Mançester Junajtid 1-1 (11-10 p)
30’ Moreno / 54′ Kavani