NGA VERMOSHI NË AMERIKË. Bashkim i paharruar i nxansave të klasës 1996

0
1283

“School Reunions” apo bashkimet e nxansave në përvjetore janë një traditë sa e vjetër aq edhe e veçantë. Edhe më e veçantë ishte mbrëmja e bashkimit të klasës VIII 1996, të shkollës 8-vjeçare “Demokracia” Vermosh. Por si filloi?

Dikush nga kjo klasë hodhi një fjalë, “A bashkohena”, dhe kjo fjalë si shkëndijë ndezi mendimet dhe zemrat e të tjerëve. Një “nxanës” tjetër krijoi në telefon një grup mesazhesh, ku të gjithë filluan që të shkruanin atë që mendonin. Nuk ishte e lehtë që mbas afër tri dekadash të realizohej një ri-bashkim, tani në Amerikë. Ishin shumë arsye për të mos marrë pjesë: familja, fëmijët, puna, largësia, angazhimet e ndryshme shoqërore apo edhe mendimi se si do të dukemi para njëri-tjetrit pas kaq kohësh. Jeta i kishte shpërndarë të gjithë, secilin në drejtimin e vet, me gëzimet, hallet dhe arritjet e veta. Por përtej këtyre, brenda secilit “nxanës” egzistonte një dëshirë, një passion, një ëndërr dhe një lumë kujtimesh pothuajse të harruara, që dilnin mbi vështirësitë dhe pengesat. Brenda një kohe të shkurtër u arrit një aprovim i plotë, u caktua data,koha, vendi, programi e të gjitha detajet. Eh…“Dëshirë po pate se rrugën e gjen”, thotë një fjalë.

Më datën 6 Janar 2024, rreth orës 6 të darkës, në Restorantit “Tesoro D’Italia”, në rrethinat e New York-ut, një e nga një dhe me çifte, u mblodhën “nxanësit” e dikurshëm, të shoqëruar nga bashkëshortët, bashkëshortet apo ndonjë i afërm. Ishte një sacrificë jo e vogël, disa vinin nga qytete të ndryshme të New York-ut, nga Connecticut, New Jersey, nga Michigani dhe nga Kanadaja. Vetëm dy-tre, për arsye objektive e të kuptueshme mungonin. Sigurisht, që në raste të tilla, sikurse në një orë mësimi dikush do të mungojë.

Ata ishin mbledhur për darkë, por darka ishte harruar. Të gjithë ishin të zënë me njëri-tjetrin në bisedat të gjera dhe të ndryshme që vlonin në grupe-grupe. Shumë prej tyre kishin kontakte të rregullta e disa nuk ishin parë as kishin folur që nga 1996-ta. “Nxanësit” kujtonin histori shkollore, tregonin për familjet, fëmijët, e mbi të gjitha binin në sy të qeshurat nga batutat dhe kujtimet e ngjarjeve që ju kishin lënë më shumë mbresa. Një kohë që tashmë egzistonte vetëm në kujtimet e tyre, që nuk shuhen kurrë!

Të gjithë ndiheshin mirë më njëri-tjetrin, sikur asgjë nuk kishte ndryshuar. Përveç fizionomisë së moshës, e natyrshme për çdo njeri, të gjithë ishin po ata 15-vjeçarë, të njëjtit të rinj në shpirt. Tri dekada nuk kishin ndryshuar asgjë ndër ta, ata që kishin qenë më të hedhur ishin prapë të hedhur,të urtët ishin të urtë, hokatarët kishin mbetur po ashtu. Sa bukur të jesh gjithnjë vetvetja, i vërtetë dhe pa maskë. Pa maskë, i bukur, i gjallë dhe plot ndjenjë ishte krejt takimi. Secili pa përjashtim kishte dhënë kontributin e vet në realizimin e kësaj mbrëmje. Një harmoni e plotë jo vetëm nëbiseda, kangë e valle, por edhe veprimet e tyre pregaditore. Dikush ishte marrë me rezervimet dhe akomoditetet, një tjetër kishte printuar një banderolë të madhe me fotot e femijërisë e secilit nxanës ku të gjithë rreshtoheshin të bënin një foto, dikush kishte pregatitur embëlsira për të gjithë, një tjetër ishte kujtesur për lulet e freskëta, dikush për qirinjtë aromatikë me numrat 1996, një tjetër drejtonte këngët dhe muzikën burimore kelmendase apo pogonishte, dikush hapi darkën, të tjerët me rradhë i prinin valles. Një perfeksion që nuk përshkruhet me fjalë.

Darka ishte e plotë, me ushqime dhe pije, “food and spirits”, të cilat e ngrohën edhe më shumë shpirtin e malësorve në këtë darkë. Muzika nuk u ndal në asnjë moment, vallja po ashtu, tipare këto kelmendase që i shoqërojnë ata në çdo rast gëzimi dhe feste. Edhe bashkëshortët dhe shoqëruesit nuk u ndien të tepërt, ata gëzuan bashkë me ta, si një familje e madhe.

“Nxansit” nuk kishin harruar as mësuesit, në biseda ata flisnin me pasion, se sa me fat kishin qenë që kishin pasur mësues të mirë, të gjithë kishin punuar me përkushtim në edukukimin e tyre. Rezultatet ishin të dukshme, shumë prej “nxansave” tashmë kishin shkolla të larta e fakultete të mbaruara, ishin biznesmenë të suksesshëm, menaxherë të shkëlqyer, prindër shembullorë. Sigurisht bazat e edukimit i kishin nga këta mësues të nderuar. Si përfaqësues të mësuesve të tyre, grupi me unanimitet kishte përzgjedhur dy mësues: Lekë Vukaj dhe LuigjPepaj. Dikush nga grupi, në shenjë respekti, kishte pregatitur nga një pllakatë për këta mësues ku

shkruhej: MIRËNJOHJE

“Për punën e palodhur dhe kontributin e shquar për edukimin e brezave dhe rritjen e nivelit kulturor në Kelmend. Me respekt Klasa VIII e vitit 1996”.

Mirënjohja më e mirë, më e larta nga të gjitha, më e pastra dhe e sinqerta për mësuesit vjen gjithmonë nga nxansit, nga ata që e panë, e ndien kujdesin dhe i përjetuan më vonë frytet e punës tyre. Bashkë me pllakatën ishte edhe një dokument shoqërues, që u mbush plot me emrat enxanësve të shkruar me dorën e tyre:Besa Vushaj, Diellë Vukaj, Fllanxë Shqutaj, Fran Peraj, Lek Vuktilaj, Leonard Naçaj, Luan Volaj, Luigj Vuktilaj, Merushe Vuktilaj, Mirela Vukaj, Natalina Shqutaj, Nora Hysaj, Paulin

Lumaj, Pllumb Naçaj, Vera Bujaj, Zana Vukaj.

Në fund, diku në orët e pasmesnatës, kur bisedat skanë fund, muzika vazhdon, vjen koha që “nxanësit” duhet të ndaheshin, një shtrëngim duarsh, një përqafim dhe një premtim për t’u mbledhur prapë. Të përmalluar dhe të lumtur që u panë dhe festuan bashkë edhe një herë. E kush prej “nxansave” të 1996 në Vermosh, atje ku “ngulet gozhda” në hartën e Shqipërisë, e kishte mendue se do të bashkoheshin si dikur, tash në Amerikë. Zoti e bekoftë Amerikën, klasën 1996- ës dhe mësuesit e tyre.

Pregatiti Valentin Lumaj

Michigan, 10 Janar 2024