“Sindroma e Stokholmit”

0
325
Woman with worried stressed face expression brain melting into lines

Sindroma e Stokholmit është një gjendje psikologjike që përfshin lidhjen dhe ndjenjat pozitive të viktimës kundrej rrëmbyesit.

Në gusht të vitit 1973, një tentativë e dështuar për të grabitur bankën “Kreditbankën” në Stokholm të Suedisë përfundoi në marrjen peng të katër nëpunësve nga grabitësit e armatosur.

Pas gjashtë ditë tratativash të policisë suedeze me pengmarrësit, kriza u zgjidh kënaqshëm dhe pengjet u liruan të padëmtuar – po të përjashtojmë sjelljen e tyre të çuditshme në ditët, javët dhe muajt pas këtij incidenti.

Viktimat e këtij akti të rëndomtë terrorist, ndërsa mbaheshin të burgosur në një bodrum të bankës, u lidhën shpirtërisht me kriminelët që i mbanin peng, deri në atë pikë sa të tregonin mirëkuptim për arsyet e këtij akti e më pas, të përpiqeshin të siguronin ndihmë financiare për të paguar mbrojtjen ligjore të ish-xhelatëve të tyre dhe të dilnin në gjyq për të dëshmuar në favor të grabitësve.

Psikologët që e studiuan këtë reagim në dukje absurd, e quajtën “sindroma e Stokholmit”.

Shfaqja e sindromes

Sipas disa autorëve, sindroma e Stokholmit shfaqet në shumë rrethana të ndryshme:

– Një person kërcënohet se do ta vrasë një person tjetër, dhe duket se është në gjendje që ta bëjë këtë.
– Personi i kërcënuar nuk mund të largohet nga kjo situatë, prandaj e percepton jetën e vet si në duart e abuzuesit.
– Personi i kërcënuar është i izoluar nga mjedisi rrethues, në kuptimin që e vetmja perspektivë që ka lidhet ngushtë me atë të personit kërcënues.
– Personi kërcënues, herë pas here, tregon njëfarë dhemshurie ndaj viktimës.

Sipas disa autorëve, mjaftojnë tre-katër ditë në këtë lloj situate, që viktima të fillojë të ndjejë simpati ose mirëkuptim për xhelatin.

Kjo është shpjeguar me adoptimin nga ana e viktimës e një strategjie pothuajse instinktive për të mbijetuar, shkruan Shqip, duke ia bërë qejfin personit që i ka jetën në dorë dhe duke u identifikuar me këndvështrimin e tij ndaj botës.

Gjithashtu, në viktimat, frika fillestare nga xhelati shndërrohet gradualisht në mirënjohje, që ky po ua “shpëton” jetën TELEGRAF