Lukë Kaçaj

0
394

Lukë Kaçaj lindi më 19 korrik 1926, në Bajzë të Malësisë së Madhe. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Gjimnazin e Jezuitëve në Shkodër, me mësues At Martin Gjoka dhe që në këtë kohë ai shfaqi dhunti të pazakonta muzikore.“Nga një copë fushë mes malesh, nga Bajza e Kastratit, do të zbriste edhe Luk Kaçaj për në shkollën e etërve dhe falë zërit të tij do të bëhej pjesë e korit të At Filip Mazrekut, At Martin Gjokës e Prenkë Jakovës, së bashku me ata emra që e themeluan muzikën shqiptare si Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Tish Daija etj. Mësuesit françeskanë, metaforikisht malin po e afronin me detin në një shkollë qytetase, e thënë kjo me gjuhën e Koliqit.
Luk Kaçaj ra në sy vrullshëm dhe u dërgua të studionte në konservatorin “Çajkovski”, ku shkëlqeu në mënyrë të pakrahasueshme në skena të ndryshme të botës. Shumë herët iu desh të mbante barrën e krahasimit me të madhin Shaljapin, ose “Albanskij Shaljapin”. Muzika e varfër shqiptare duket e kishte të vështirë ta kapërdinte këtë kafshatë të madhe. Në kursin e Belkantos spikaste shqiptari Luk Kaçaj, bullgari Nikolai Ghiaurov dhe rusi Sasha Vedernikov”, – shkruan për të Agron Gjekmarkaj.

Pas çlirimit, në vitet 1947-1950, punon në Korin e Përgjithshëm të Shtetit dhe në Ansamblin e Ushtrisë si solist dhe si korist.

Në vitet 1950-1955 kryen studimet e larta për kanto pranë Konservatorit P. I. Tchaikowsky, në Moskë dhe që në atë vit emërohet solist në TOB. Ndërkaq, që në kohën e studimeve Kaçaj ishte aktivizuar dhe në disa aktivitete ndërkombëtare, duke marrë edhe çmime.

Në TOB realizon mjeshtërisht role të paharruara nga operat shqiptare dhe botërore, duke u bërë një ndër artistët më të njohur e të preferuar në Shqipëri. Në vitin 1966 emërohet pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve dhe jep kontributin e tij të çmuar në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve.

Kjo karrierë ndërpritet në vitin 1973, kur Luk Kaçaj burgoset nga regjimi i asaj kohe. Del nga burgu në vitin 1991 dhe vazhdon të aktivizohet në jetën muzikore shqiptare.

Lukë Kaçaj vdiq më 7 shtator 2001 në Laç.

Pas vdekjes, Presidenti i Republikës Bamir Topi ka nderuar Lukë Kaçaj me dekoratën “Nderi i Kombit”.