Shtegtar i viseve shqiptare

0
332

Nga Zija VUKAJ :

Pak vite më parë u njoha me z. Lulash Palushaj. Kjo njohje ndodhi për shkak të veprimtarisë së tij letrare dhe shpirtit atdhetar që e karakterizon. Ky burrë Malësie, që sot jeton në Michigan, punon dhe prosperon me dinjitet si një individ shembullor në të gjitha aspektet që shpërfaqin vlerat e shqiptarit dhe përmasat e një kozmopoliti. Pothuajse çdo vit profesor Lulashi kryen ritualin e një shtegtimi fizik dhe shpirtëror. Vendi i këtij “pelegrinazhi” të shenjë është atdheu i tij, Shqipëria. Dhe shtegtimi në Atdhe është dyplanësh: udhëtim në hapësirë, pra nëpër viset e mallshme të vendlindjes dhe të krejt shqiptarisë, si dhe udhëtim në kohë, pra në stacionet e historisë sonë, të mbushura me bëma, me sakrifica, me vuajtje dhe lavdi. Në planin personal ardhja e Lulashit më krijon një gjendje të mrekullueshme emocionale. Më rizgjon ndjenjat atdhetare, më rikujton domosdoshmërinë e mbajtjes gjallë të shpirtit të të parëve, të ruajtjes së memorjes historike. Vjet u endëm nëpër obelisqet e Kosovës martire, vizituam sërish Drenicën Prekazin, Drenasin, varrezat masive me dëshmorët e lirisë, por edhe bukuritë e natyrës dhe shpirtin fisnik të atyre njerëzve të rrallë. Më pas udhëtuam drejt Manastirit, qytetit të alfabetit të gjuhës shqipe. Pamë ndërtesën ku u mbajt një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kulturës dhe të atdhetarisë sonë.
Këtë vit inkursioni shtegtues me mikun tim Lulash Palushaj zuri fill në Tiranë. Lulashin e kishte ftuar ish- presidenti Bujar Nishani, i cili më 2 dhjetor të vitit 2015 i akordoi titullin “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”. Gjatë këtij takimi të përzemërt u vendos që më datën 7 maj të organizohej një vizitë përkujtimore në shtëpinë e patriotit të famshëm Dedë Gjo Luli në Malësi. Gjatë kthimit u ndalëm në Fishtë dhe bëmë një homazh në shtëpinë e poetit Gjergj Fishta
Pjesa tjetër e udhëtimeve u zhvillua në Kosovë. Gjatë qëndrimit në Mitrovicë përjetuam çaste mbresëlënëse. Lulashi shkonte për të takuar një mik të vjetër e të vyer, z. Sali Haxhiu, një mjek nga më të përmendurit në gjithë Kosovën, por edhe një atdhetar i zjarrtë. Me sugjerimet e tij shkuam në fshatin Boletin, ku vizituam kullën e patriotit legjendar Isa Boletini. Kjo vizitë ishte udhëtim në kohë, ishte prekja dhe konkretizimi i një lavdie që na bën krenar secilin prej nesh. Ata shkëmbinj ciklopikë që rrethonin oborrin e kullës, gjithë ai mjedis dominues i fortifikuar nga natyra dhe dora e njeriut fliste më shumë se fjalët dhe librat. Në atë shpat të rrëpirët, përreth kullës, brenda derës së rëndë të oborrit, pranë varrit të Isait dhe të familjarëve të tij, në mjediset e brendshme rrinte pezull dhe pluskonte në eter moria e bëmave. Në këto çaste kam parë krenarinë dhe përmallimin e këtij shtegtari dhe jam bindur edhe më shumë për domosdoshmërinë e këtyre udhëtimeve. Ndërsa në Prishtinë Lulashin e pritën miq të tjerë. Ndër ta ishte Anton Quni ish- Ministër i Mbrojtjes së Kosovës dhe Ministër i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK-së), në detyrë që nga 3 shkurti i vitit 2020 deri më 22 mars 2021, po ashtu dhe ish-Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së)Takimi me Antonin qe shumë i përzemërt. Ai u zhvillua në ambjentet e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Para një viti, në manifestimin letrar kushtuar Ibrahim Rugovës, Anton Quni i kishte dhuruar profesor Lulash Palushajt emblemën e UÇK-së, flamurin dhe një medalje mirënjohjeje për kontributin e tij atdhetar në çështjen e Kosovës, mashkë me një libër monografik kushtuar Bekim Fehmiut. Ndër miq të tjerë që e pritën Lulashin në prishtinë ishin edhe Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës z. Shyqyri Galica, Kryetari i Unionit Rinor të LDK- së z. Festim Avdyli etj.

PER MA GJATE VIZITONI : ALBDREAMS.NET