Presidenti i FIFA-s shpjegon pse Botërori duhet të zhvillohet çdo 2 vjet

0
263

Gianni Infantino është ndalur te disa nga temat më të diskutuara të futbollit.

Presidenti i FIFA-s shpjegon se pse është i mundur organizimi i Botërorit çdo dy vjet, ndalet te Kupa e Kombeve të Afrikës dhe e mbyll me Paolo Rossin.

“Botërori çdo dy vjet është i realizueshëm, si nga pikëpamja sportive dhe ajo ekonomike. Do të kishte një impak të madh financiar, pra më shumë para do të riinvestoheshin për të zhvilluar futbollin në çdo pjesë të globit. Në fund të gjithë do të përfitonin, nga më i pasuri te më i varfëri.

Kupa e Afrikës? Ky turne luhet çdo dy vjet dhe e kuptojmë rëndësinë që ka. Deri para disa vitesh, askujt nuk i interesonte se ky kompeticion zhvillohej në dimër.

Tani është kthyer në problem pasi shumë futbollistë afrikanë luajnë në klube të mëdha, të cilët i humbasin në një moment të rëndësishëm të sezonit.

Zgjidhja? Të riplanifikojmë kalendarin dhe të sigurohemi që turneu të luhet në shtator në vend të janarit ose shkurtit, kështu zgjidhim një problem për shumë kampionate që kanë lojtarë afrikanë”.

Në fund një dëshirë në lidhje me Paolo Rossin, ish-sulmuesin e famshëm italian që u nda nga jeta më 9 dhjetor të vitit të kaluar. “Stadiumi ‘Olimpico’ duhet të marrë emrin e tij. Paolo e meriton, më shumë për atë që i ka dhënë Italisë si vend sesa për kombëtaren dhe për futbollin italian”, përfundoi kreu i qeverisë botërore të futbollit.