24 orë nga jeta e një gruaje – nga Sonila Meço

0
302

Nga Sonila Meço

Zgjimi është i vështirë, shkëputja nga vetmia e bekuar e harresës në shtrat, sado i parehatshëm dhe dorëzimi halleve të panumërta të ditës është dramë e pafund.
Por gjithsesi, fëmijët duhen bërë gati për shkollë, duhet kapur autobusi për punë ca më herët se trafiku të ka bërë pirgun e “penaliteteve” prej vonesës më të lartë se paga.

Kujtohesh se duhen blerë fruta, perime, miell e sheqer. Mbarojnë aq shpejt dhe duhet kaluar nga ai tregu diku afër punës se i kanë ca më lirë. Po shkon ushqime rroga.
Kontrollon tek cepi i djathtë i sirtarit dhe të duket se aty dikush vë dorë mbi kartmonedha. E pamundur të kenë mbetur kaq. “Çfarë pagova dreqin”, mendon.
Drita dhe ujë, qeranë, ilaçet e diabetit, analizat e gjakut të bashkëshortit, siguracioni i gërdallës që tërheq ende yt shoq për punën në periferi, librat e fëmijëve, kursin e gjermanishtes, këstin e kredisë.
Po, edhe dorovitjen në dy dasma, si përkuan në një muaj e ç’patën që ju ftuan kur as të afërt nuk jeni…aty kujtohesh për borxhin që ke ende për pushimet e verës në jug, sesi në gusht e shpëlaje idenë e shlyerjes ndërsa zhysje kokën në ujin kristal. Po kjo cëmbisja në vetullën e tëmthin e djathtë, duhet parë dhe ajo. Ndërsa kontrollin për gjendrën në rrëzë të kofshës mendon ta shtysh, derisa të gjesh ndonjë mjek “të hajrit” tek publiku. Ideja e një palë analizave shtesë në këtë muaj është vrasëse më shumë se përmbajtja potenciale e gjendrës.

Ndërkohë të vegjlit kapen për flokësh mbi tablet, ekrani i është ciflosur sa nuk dallohen më as komandat, por sa të kujtohet tezja në Francë për një tjetër duhet shtyrë. Nuk i thua dot edhe për një tablet, kur të sjell çdo muaj ilaçet e prindërve, paguan dializën e mamit dhe mbulon shpenzime mujore prej pensionit të ulët që u ka dalë të dyve.

Qenka freskuar ndërkohë, duhet blerë ndonjë veshje më e trashë se zëre se erdhi dimri. Ec e prit kur bëhen uljet, herën e fundit s’munde në fund sezoni se kishe për të lyer shtëpinë. Këtu kujtohesh se njollat nëpër mure që të thanë se do zhbëhen pas ca ditësh me tharjen totale vijojnë të këmbëngulin më të zverdhura. Si tha fqinja, tani lyejnë me bojra të skaduara? Po pse skadon boja? Po ç’të jetë?

Aty kujtohesh për rubinetin që kullon, bojlerin që nuk “zien” prej një jave, lavatriçen që ngec tek larja 90 gradë, kolltukun e ri që u rrop për dy javë e nuk ta kthejnë (kur blen me ulje, prit se aty ta kanë futur)…po për ngrohjen sivjet ç’do bësh? E shtytë vjet me sobën, që gjetët në fshat tek ai që sjell qumështin, por me drutë hoqët keq. Ca nuk digjeshin, të tjera lata kushtonin. Po sa herë nuk gjetët…ja u zgjidh me atë radiatorin 2.000 lekësh dhoma e fëmijëve. Po ai duhet mbajtur hapur 24 orë, than ajrin, sa janë kollitur të vegjlit vjet, se edhe brenda prej karantinës…pupupu kur kujton fytyrën e zgavruar të kryeministrit teksa fliste për krizën energjetike më të madhe se pandemia…

Uaaaa po covid-i? Do na mbyllin? Do na kalojnë sërish me pagë lufte? Si e zuri sërish covid-i atë miken time, me dy vaksina të bëra, dhe që ruhet aq shumë?! Pra s’qenka zgjidhje as vaksina? Ose është, e thanë në lajme shumë herë. Po ndoshta e saja e skaduar, kush kontrollon këtu ç’hyn? Po sikur të ketë paguar ajo për pasaportën e vaksinës si kunati dhe s’e ka bërë fare? Si tha ai, u bë me BMW ajo doktoresha që i administron…aman shqiptarët, gjithë konspiracione. Ama ters i madh, një herë tërmeti, mandej pandemia, tash apokipsi energjetik…vend i mallkuar jemi…
Ja, të merrni atë provim gjermanishteje e le të niset i pari bashkëshorti! Gjuhë e çartur, të kish qënë italisht të paktën…megjithëse kur po ia dalin farë e fis pa shkollë, po tërheqin gjithë familjen, po ikin me gjithsej…

Po ikin shumë, llogarit pallatin, s’ke më fqinjët e para 4 vjetëve. Ca të huaj me qera, ca studentë, dy-tre pensionistë, ato gratë që s’flasin kurrë nëpër shkallë…ikën e po ikin, për fëmijët thonë. Aty të nëpërmend zhurmnaja në oborrin e shkollës. Sheh fytyrat e disa prindërve…kujtohesh se s’ke vënë asgjë në fytyrë, ku pate mend, ku të mbetën? Kalon dorën në fytyrë, e ndjen të ashpër…diku në thellësi të mollëzës ndjen dhimbje…ajo dhëmballa në fund, duhet mbushur, apo ta heq fare? Të shpëtoj një herë e mirë, 50 euro çdo mbushje…po implantet që duhen për boshllëqet e dhëmballëve poshtë? Pa shlyer kredinë e mobiljeve nuk i hyn dot një tjetre. Kur mendon sa dokumente e sa vërtetime. Dhe paga e deklaruar s’të lë të marrësh më shumë. Po fundja t’i paguash vetë ato siguracione? Shtyje edhe 6 muaj sa të mbyllësh kredinë…
Tjetërkund halli, ajo gërdalla që ha çdo muaj për friksion, pompë nafte, frena, kambio…o Zot kur mendon sa u rrit dhe karburanti! Po me ç’të shkojë i ziu në punë? Nuk ka autobusë për atë itinerar. Të marrë taksi? Që me këtë trafik i bie të paguajë sa për Tiranë-Fier.

Sheh orën, lebetitesh…ende s’ka ardhur autobusi. Ku të vijë? Trafiku një kapicë që veç ndonjë ingranazh alienësh nga lart mund ta bitisë. Do vonohesh, do të të mbajnë pagën…mos harro në kthim tek tregu i çmimeve më të lira, të çosh fëmijët në futboll (duhet pqguar edhe kësti tremujor), të flasësh me hidraulikun që s’ja ndjen për aq punë se merr një “hale” tek pallatet e reja.

Befas ndjen një dihatje të rëndë pranë…çfarë dreqin është, i pirë, hajdut, i marrë? Tenton të spostohesh, nuk mundesh. Vapa e tetorit si për ters e shton asfiksinë. Po xhanëm më mirë se i ftohti ngjethës i autobusëve pa ngrohje. Dihatja ngjitur shndërrohet në monolog. Shan opozitën dhe Sorosin. Do bëhet bashkëqeverisje? Apo do ketë trazira? Më mirë qetë, le të ndajnë e denden të dy palët…apo më mirë të shpërthejë, të plasë e të vejë ku të vejë se kështu po na drobit thepisja? Po ç’të hyn në xhep, mendon. Rri merr atë rrogë, mbyll gojën, se kur mendon sa ka më keq…

Ja do dalin në protestë sot. Mirë e bëjnë…le të dalin, të reagojë populli…
“Po ku ka mbetur popull për të reaguar”, dëgjohet atypari një kreko me kravatë të kuqe. Po që ka të drejtë?!
“Ka ore ka, boll me këtë dekurajim e lojë propagande”, i kthehet një grua energjike. Po që ka të drejtë?!

Uhhh s’di ç’të mendojë njeriu i shkretë! Hedh sytë në celular, aty ka vetëm drama showbizi, temina e mish të freskët. Harrohesh për disa minuta dhe kujtohesh se nuk ke parë dje serinë e telenovelës. Po ç’pate? Pse harrove? Aaaa po, ishe në celular me motrën në Francë, që të tregonte për punën e re dhe s’kish kohë tjetër kur të flisnit, se e ngarkuar shumë. U mërzit ca kur i the të marr më vonë, se qe seri kulminante…por nuk ia prish dot. E ke motër, shpirt.
Dhe ka tjetër energji ajo. Ti si e shuar, ajo e lodhur, por gjithë dritë.
Ajri, tjetër ajër…

Tani kujtohesh për kollën alergjike të më të voglit. Duhet mal, tha doktoresha. Në Dajt ta çoj, mendon…po ku me atë gërdallë makinë, ku ngjit ajo dot përtej Freskut?! Do t’i marr aerosol, ndonjë shurup bimor. Duhet holluar me ujë se mbaron shumë shpejt…uuuu uji! Duhet blerë! Kish shpëtuar fqinja me filtrat, po ishin 1.500 euro në vit. Ku t’i gjesh?

I shkruan tët shoqi: “bli bidona uji!”. S’të kthen përgjigje. S’do ketë ofertë. Po ç’ofertë zeza, për tre ditë një tutorial rripi transmisioni i harxhoi gjithë internetin. Dhe ke ende pa paguar faturën e shtatorit, ta lodh dorën vibrimi i parreshtur nga kujtesa se në datën 15 të bllokohen të gjitha thirrjet hyrëse e dalëse.

Ç’është kjo zile e çmendur? “E mora vesh”, bërtet. “E moraaa, do paguaj brenda datës 15”…po nuk pushon, bie e bie e bie…nuk lëviz dot ta ndalësh, këmbët i ndjen plumb, duart të lidhura, fryma po të tretet…dhe në një çast fatlum kupton se ishe në ëndërr.
Por një çast i vetëm i beftë fatlum ama, sepse do të të duhet ta përjetosh të gjithën me përpikmëri edhe një herë, për së gjalli.

Dhe thonë mandej mos pusho së ndjekuri ëndrrat…as të flemë nuk është më zgjidhje…