Servilizmi si ideologji dhe falimentimi i debatit publik

Nëse sot debati publik në Shqipëri ngjan më shumë me një pellg balte sesa me një arenë idesh, fajin nuk e ka liria e fjalës. Fajin e ka një ushtri servilësh të paguar, të vetëemëruar mbrojtës të pushtetit, që nuk dinë të mendojnë, por vetëm të sulmojnë këdo që guxon të thotë një të vërtetë jashtë vijës së rrogës.

Këta njerëz nuk kanë mendim, kanë detyrë. Nuk kanë argumente, kanë porosi. Janë të rehatshëm në karrigen e rrogtarit—në pushtet apo opozitë—dhe të gatshëm të turren si qen zinxhirësh sa herë preket idhulli i tyre politik. Nuk diskutojnë ide, por shpifin. Nuk ballafaqohen me fakte, por nxjerrin vrer. Servilizmi i tyre nuk është rastësor; është mënyrë jetese.

Rrjetet sociale janë kthyer në lavatriçe propagande, ku këta individë lajnë ndërgjegjen e pisët duke jargavitur pushtetarët dhe duke jashtëqitur fyerje ndaj kujtdo që nuk u përkulet “të mëdhenjve”. Ata e quajnë këtë “qëndrim”, por në thelb është frikë e maskuar me arrogancë. Frikë nga humbja e privilegjit, frikë nga mendimi i lirë, frikë nga e vërteta.

Kjo është shoqëri e tredhur nga intelekti. Kur fresku shpërblehet dhe kritika ndëshkohet, mediokriteti ngrihet në normë dhe dinjiteti shndërrohet në pengesë. Servilët nuk janë thjesht figurantë të neveritshëm; ata janë bashkëpunëtorë aktivë në shkatërrimin e debatit publik dhe në varrosjen e çdo shprese për llogaridhënie.

Komentet e tyre denigruese nuk zbulojnë forcë morale, por errësirë shpirtërore. Janë pasqyrë e një karakteri të vogël që përpiqet të duket i madh duke u kapur pas këmbëve të pushtetit. Historia i njeh mirë këta tipa: gjithmonë në anën e gabuar, gjithmonë të zëshëm, gjithmonë të pashpirt.

E vërteta mbetet e tillë edhe kur sulmohet nga një turmë servilësh. Dhe sa më shumë ata ulërasin, aq më qartë dëshmojnë se problemi nuk është fjala e lirë—por fakti që ajo ende ekziston.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *