
Lulash Nikë Palushaj, “Shqiptar, e kuptove vetvetin”, “Fiorientia”, Shkodër, 2025
Emër i njohur në jetën letrare e kombëtare, personalitet që është marrë me përkushtim me veprimtari arsimore, letrare e kombëtare, duke dhënë ndihmesën e tij në shumë fusha, prof. Lulash Nikë Palushaj ka botuar kohëve të fundit dhe veprën më të re “Shqiptar, e kuptove vetvetin – e vërteta mbi të vërtetën shndrit të vërtetën”, që në të vërtetë ka pikësynim motivin e përhershëm të tij, atdhedashurinë.

Prof. Lulash Palushaj ka botuar një varg veprash, që emrin e tij e bëjnë të vlerësuar e të nderuar. Ka dy vëllime poetike, “Rrajë të ndame” dhe “Votra ime”, veprën etnografike “Malësia dhe fiset e saj” në dy vëllime, romanin “Malësorja e bjeshkëve tona”, veprën me ese “Oqeani që përpin” dhe “Nusja me duvak të bardhë”, refleksionet filozofiko-historike “Lot që nuk teren – zemër që s’pushon”, “Me Zotin flas shqip”, “Nji dashni e thyeme”, “Ma shkretnuen zemrën”, fjalorin “Fjalë të Malësisë së Madhe, visar që s’duhet harrue”, “Ka vojte, o Malësi e Madhe, ka vete, o shqiptar” dhe kohëve të fundit ka botuar këtë vepër me titull “Shqiptar, a e kupton vetveten”. Për veprimtarinë e tij Lulash Nikë Palushaj është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, me dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Titulli i veprës “Shqiptar, a e kuptove vetveten” është tejet provokues dhe ngërthen në vete një kompleks kërkesash që autori i shtrin tejetej veprës së tij, gjithnjë duke synuar të gjejë rrugën e afirmimit dhe të hapjes së shtigjeve jetësore për ta bërë kombin e tij me vetëdije që ngërthen prioritetet e jetës moderne dhe pa dyshim duke vënë në pah rrjedhat e historisë dhe traditat që bëjnë më komplekse realitetin shqiptar në rrjedhat e tij. Duke jetuar në një botë moderne, në SHBA, shpirti i tij atdhetar ka synim që ta shohë ndryshe botën tonë të trazuar që e do më të zhvilluar, më të përparuar dhe me synimin që një ditë ta shohë të bashkuar. Në të vërtetë, gama e tij kërkuese është tejet e gjerë, përfshin aspektet historike, kulturore e aktuale, synime që i vë në formë eseistike para lexuesit që në të vërtetë do ta provokojnë kurdo që do ta ketë në duar këtë vepër.
Shqetësimet që paraqet autori në këtë vepër pa dyshim janë gjithëkombëtare, nëpërmjet tyre tregon rrugët nga do të duhet vajtur duke u ndalur tek aspekte që kanë të bëjnë me jetën tonë, me synimet historike e aktuale, me gabimet eventuale dhe me përpjekjet për të dinamizuar ecurinë e mëtejshme të brezave, të botës së re që ecën me ritme të shpejta dhe ngathtësinë e brezave që e shpreh me dhembje e shqetësim. Ndërkaq, vë në pah dhe figurat e mëdha që nuk e kanë kursyer as jetën për këtë Atdhe, për këtë botë shqiptare, që do të jenë përherë motivues për ta forcuar edhe më shumë dashurinë për vendin e bashkimin, për synimin shekullor ndër breza.
Autori ecën nga njëri skaj te tjetri i atdheut, nga njëri mjedis te tjetri dhe kërkon fisnikërinë e kombit, emrat më të nderuar, ngjarjet më të mëdha, por më pas nuk lë anash as mjedisin e vendin ku bën jetën, Amerikën e largët, duke ndërthurur me mallin dhe dëshirën për të qenë dhe Atdheu i tij fisnik më i afirmuar e më i qëndrueshëm gjithnjë nëpër stuhitë e situatat që kaloi e që eventualisht mund ta presin. Prandaj, krëkesa e tij është që atdheun ta paraqesim në botë me pasurinë e tij materiale, etnografike e fizike, madje dhe me doket e zakonet si pasuri të mëvetësishme që i bën brezat e tij jo vetëm të mos e harrojnë, por kur të paraqitet nevoja edhe të mos kursejnë asgjë, siç ndodhi me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me një varg luftërash të tjera që u zhvilluan gjatë historisë.
Me këtë vepër autori paraqet dhe shpirtin e tij atdhetar, dashurinë e madhe për vendin e kombin për t’i parë më të prosperuar e më të lumtur në të ardhmen që aktualisht kërkon mund e sakrifica, siç kërkojnë ngjarjet e mëdha historike.