Poezia e Rozafës futet në shkollën e quajtur “letërsi qytetase”, e cila, veçanërisht në Shkodër, njohu lulëzim në pjesën e parë të shekullit të kaluar me Migjenin sa në poezi, aq në prozë, si dhe me prozën e Koliqit. Zinxhiri i këputur i kësaj shkolle gjeti fillin sërishmi falë penës autentike të Rozafa Shpuzës. Poezia e saj, e ngjyer tërësisht në sfondin e qytetit të Shkodrës, iu thërret me të gjitha shqisat, ndjesive të ruajtura nën lëkurë jo vetëm të brezit të saj, por ngërthen ato të të gjithë qytetarëve që si ajo e jetuan intensivisht Shkodrën në çdo pulsim të saj. E ngjizur me një leksik sa të rrallë, aq edhe të pasur të së folmes qytetase, vargjet e kësaj poezie gëlojnë nga identiteti unik i këtij qyteti; përmbyten në bukuri rievokimesh të shtëpisë atësore, të lagjes, të raporteve me veten e me të tjerët, me njëmijë ndjesi që ripërtërihen sa herë e prek e po aq kur nuk e prek atë ajrì. Sepse Shkodra vetëm mund të këndohet në vargje dashurore, sepse ajo është frymë, jo thjesht qytet.
Diana Jup Kastrati
KANGA E GOZHDËS
Asht nji gozhdë
ngulun mbi shtëllunga plasash
që harbohen si flokë shtrigash
tue i dhanë murit nji pamje mitike.
S’mbahet mend kush e nguli
e çka ban saora atje mes sekrete bojnash,
t’stivueme nji mbi nji
si teshat e dekës në baulen e gjyshes.
Asht nji gozhdë
ngulun mbi mirazhe t’ujshme
që ngutem me i fiksue ndër fotografitë bardhezi.
Medet, edhe këtë pranverë harrova me i ba nji ny frymimit,
kësisoj dashnitë u shprazën si rruzat e lutjeve
mbi qylymin dalëboje prej pelegrinazhit të hapave.
Asht nji gozhdë ngulun në mue
që më mban varun,
anipse tasheparë preki me gishta tabanin e andrrave.
GRUEJA FANTAZËM
Asnjeni prej fëmijëve t’lagjes
s’e dinte kuptimin e fjalës “prostitutë”.
As gjyshja s’e dinte…
E kërkuem m’kot edhe n’fjalorin
me shkronja t’preme si shkallë
n’kursin e italishtes
te shpija e zotni Ndocit…
Dinim veç se në Shkodër
endej me biçikletë nji grue fantazëm,
prejse asnjeni s’guxonte me e pa n’sy.
Hamendjet që s’ua rrëfyem as ditarëve
ua zunë vendin lojnave të fëminisë…
Nji ditë u shpërndamë nëpër botë
për me u takue prore
kur shpinat na ishin kërrusë paksa,
e s’u çuditëm aspak
kur ndjem mall për gruen fantazëm
që dikur pat’ qindisë fantazitë tona rrebele.
MESDITË MAJI
Im atë luen shah n’oborr
me sy t’picrruem rreshton ushtarë drunit
mbi kuadratet e njeshun solemnisht si paradë maji.
Aty ku pikon truma
lugu asht birue n’qasje t’synit t’ciklopit,
e gjyshja s’pranë tue m’porositë
se trumës duhet me i qitë sipër pak ujë
sa me shpërla ndryshkun.
Im atë luen shah n’oborr
në pamundësi me gjetë arsyen pse antena e radios
e lidhun për tandën me hardhi të krasituna
s’asht e zoja me kapë nji tjetër stacion,
përpos marshit solemn të paradës.
Jam veç 13
e sandalet e reja m’i shtërngojnë gishtat
teksa marshoj mbi kuadratet bardhezi.
Im atë luen shah n’oborr
me shpresë se radioja ka me këndue një tjetër himn
e unë kam me nga’ zbathët n’nji fushë pa kuadrate.
PËRVJETOR MKATESH
Asht vjeshtë e nji vjeti t’thinjun…
Gjyshi pin cingare Tarabosh
e mirazhi i syve dridhulatet përhanshëm në misterin e shtëllungave
që ju përgjasin luleborave rranxë murit.
Çakmaku shkrepë veç nadje herët,
mandej cingaret përshkohen vargevi
tue u lidhë ny në gacën e mbrame,
t’strukun mes dy gishtave bojsepie.
At’ vjeshtë piva tinzash cingaren e parë…
E pimë në grup tanë fmitë e lagjes
tue e thithë me rradhë si mkatin ma naiv.
Gjyshi s’e mori vesh se i mungonte ajo cingare,
kurse na e lamë fajin me stërpikat e makinës kabahe
që lagte ngeshem pervlimin e asfaltit.
Vjeshtën e atij vjeti
hyna shkujdesun në botën e mkatarve,
kukllat e pecave i msheha nën minder
e shpinden e kerrusa paksa
prejse i druhesha kryeneçsisë së cicave.
Anipse gjyshi ka kohë që asht ba nji me shtëllungat,
ka net kur ma ka anda me pi cingare tarabosh,
si me dashtë me festue pervjetorin e mkatit tem të parë.
BURIMI : EXLIBRIS.AL