“O vjeshtë ndarjesh, vjeshtë e verdhë ikjesh”

0
172

__________________

Rexhep Shahu

PA KRYE…

Gjithkush në vetvete është varr i padukshëm
Që rreket të kalbë fajet e tij
Por faji në varr është si në serë
Veç rritet e rritet në shëmti.

Gjithkush në vetvete është i varur
Nga pak në çengelin e fajit të vet
Askush me vetveten s’është në paqe të plotë
Askund, në asnjë botë s’je n’harmoni t’vërtetë.

Askush s’qëndron dot kollaj para vetes
E sidomos para vetes në gjumë
Është njësoj si ta lash të vërtetën
Në të vjellat e botës që rrjedhin si lumë.

(Nga libri Lis i vetem ne fushe, Rexhep Shahu)

*   *   *

Pikojnë

Pikojnë e shkilen ëndrrat tona në udhë
O vjeshtë ndarjesh, vjeshtë e verdhë ikjesh
Zogjtë në ikje vizatojnë portretin tënd pa sy
Mua më lënë si dimër të sertë pritjesh.

I mbështjell era ëndrrat e shkelura në udhë
Vjeshtë e artë pjekjesh, vjeshtë e trishtë pikjesh
Endem lapë gjethi në erë, vetem, pa ty
Sdua të ik, të bëhem shteg ikjesh.

(Nga libri Kjo vere merzie, Rexhep Shahu)