Një lajm shumë i trishtë për artin shqiptar. Është ndarë nga jeta në aktori dhe regjisori i njohur, një prej korifenjve të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Pirro Mani.
Ai ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Pirro Mani lindi në Korçë më 14 Prill 1932 për t’u shquar si një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar.
Ai studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet.
Që nga 1967 – 1992 ka qenë regjisor i Teatrit Kombëtar, ku ka vënë me dhjetëra pjesë teatrale. Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime.
Shfaqjet kulminante të tij janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj.
Mani ka qenë angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. Prej disa vjetësh Mani jetonte në Nju Jork, SHBA, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen
Aktorja kujton vitet e punës me Pirro Manin: Teatri mbeti i zbrazët!
Aktorja Yllka Mujo jep një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta në moshën 89-vjeçare të aktorit dhe regjisorit të njohur, Pirro Mani.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Mujo shkruan se “shkoi kollosi, emblema, artisti, frymëzuesi, i mençuri, shpirti djaloshar, ëndërrimtari, bujari, i palodhuri dhe gazploti.
Teksa kujton vitet e punës në teatër, Mujo thekson se “Pirro Mani ishte dritarja nga ku hynte drita”, duke shtuar se ai ishte burim i pashtershëm, ishte festa e shpirtrave të artistëve, pranvera ku shpërthenin të gjitha ngjyrat dhe aromat.
Mesazhi i aktores Mujo:
Shkoi kollosi , shkoi emblema, artisti, frymezuesi, i mençuri, shpirti djaloshar,enderrimtari, bujari, bohemiani, i palodhuri, gazploti!
Shkoi ,duke na lene si dhurate te fundit-Dashurine- dimensionin me te arte njerezor.
Ne fron i lavdishem mbeti, pa zhurme, pa buje , dashnor i pa lodhur i te bukures, i te mires, i sublimes, idealisti qe na ushqeu me art, me dashurine e pafund per teatrin, tempulli qe lufton injorancen, te shemtuaren, vulgaren.
Dhimbje e thelle! Fjalet e zbehin perjetimin…
Kur vajze e re u emerova ne teater, gjeta nje grup aktoresh te shquar.I kisha pare ne skene dhe me mrekullonte loja e tyre. Me shoqeronin endrra pa fund qe lidheshin me ate tempull, ku pata fatin e madh te luaja shume e shume role qe me bene te eksploroja qenien time si artiste dhe si njeri.
Njohja me Pirro Manin ishte dritarja, nga ku hynte drita.
Energjia dhe passioni i tij te benin ta adhuroje kete figure, sepse ajo qe buronte prej tij ishte dashuri, dashuri per teatrin, per aktrimin, per skenen, per njerun, per endrren.
Pirro Mani ishte burim i pashtershem, ishte festa e shpirtrave tane, ishte pranvera ku shperthenin te gjitha ngjyrat dhe aromat, ishte kopeshti ku dorezohesha ne misterin dhe magjine e ketij profesioni sa human aq edhe te bukur.
Une u rrita me te, u formova me te dhe sot ia dedikoj nje pjese te rendesishme te arritjeve te mija, ketij artisti gjigand.
Kam qene aktore e tij ne shume vepra si tek” Cuca e maleve”, “Permbytja e madhe”, “Nata e dymbedhjete”, “Epoka para gjyqit”, ” Prometeu”, “Gjenerali i ushtrise se vdekur”, ” Kush e solli Doruntinen” etj…. etj….
Ate entuziazem qe ai i dhuronte aktorit nuk e kam hasur tek asnje regjisor tjeter.
Pirro Mani, ne skene, ishte perhere i ri, energjia e tij te rrembente dhe te jepte krahe.
Mençuria e tij, aftesia qe kish per te hulumtuar boten shpirterore te ç’do aktori, sinqeriteti gati femijnor dhe kryesisht kreativiteti i tij artistik ishin xhevahire te rralle per mua dhe me kane bere kjo aktore qe jam.
Sot, Teatri mbeti i zbrazet,ndonese simboli i Pirro Manit do te jete vula qe do te perjetesoje emrin e tij ne te gjitha kohrat
Shkoi Pirro Mani dhe mori me vehte te gjithe dashurine, mirenjohjen, perulesine tone.
Sonte zemra ime eshte nje qiri qe percjell lutjet e mija per shpirtin e tij mbushur drite!