Kolegji i Shën Adrianit, vatra ku u formësuan intelektualët arbëreshë

Më 19 janar të vitit 1732 u themelua Kolegji Arbëresh i Shën Adrianit, në Kalabri.

Hapja e kësaj shkolle të rëndësishme ku u formësuan shumë intelektualë arbëreshë, u bë nën kujdesin dhe ndihmën e drejtpërdrejtë të papa Klementit XII. Kolegji kishte për qëllim të përgatiste klerin shqiptar të ritit lindor bizantin, që do të shërbente në kishat arbëreshe e mundësisht edhe në Shqipëri.

Në prag të Rilindjes Kombëtare, kolegji do të bëhej vatra më e nxehtë e ndjenjave të flakta të atdhedashurisë e të dëshirës për t’u çliruar nga pushtuesi.

Ky ishte një institucion përcaktues për edukimin dhe ruajtjen e identitetit kulturor të arbëreshëve të Italisë. Në këtë kolegj studiuan personalitete që lanë gjurmë në letërsinë dhe mendimin shqiptar, si: Jeronim De Rada, Jul Variboba, Zef Serembe dhe Domenico Mauro.

Një zhvillim i rëndësishëm akademik ishte krijimi i katedrës së parë të gjuhës shqipe në vitin 1849, nën drejtimin e De Radës. Ky akt shënoi institucionalizimin e studimit të shqipes në sistemin arsimor të kohës në Itali.

Pasuria e bibliotekës së këtij institucioni dhe angazhimi i vazhdueshëm pedagogjik e shndërruan këtë institut në një urë lidhëse kulturore mes arbëreshëve dhe Shqipërisë. Deri në mbylljen e tij përfundimtare në vitin 1919, kolegji përgatiti mbi 100 intelektualë shqiptarë, duke u konfirmuar si një nga institucionet me ndikim në proceset e emancipimit kulturor dhe arsimor të diasporës shqiptare./atsh

morrisi.2019@gmail.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

“Letra nga burgu & ese tjera”, libër i ri nga Halil Matoshi

Thu Jan 22 , 2026
Shtëpia Botuese Littera ka sjellë për lexuesit librin më të ri të Halil Matoshit, “Letra nga burgu & ese tjera”, një “kallëzim” ky, krejt personal për luftën, burgun dhe lirinë. Ky libër përmbledh një korpus esesh dhe letrash nga burgu, ku ndërthuren përvoja personale me reflektime të thella filozofike, politike […]

You May Like