Ibrahim Rugova, prijësi që sfidoi regjimin komunist

Lindi më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të ko­munës së Istogut. Më 1945 komu­nis­tët jugosllavë ia pushkatuan ba­bain. Shkollën fillore e mbaroi në vendlind­je, ndërsa shkollimin e me­sëm në Pejë, më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prish­tinës, më 1971.

Gjatë një viti aka­demik (1976-77) qëndroi në Paris, në École Prati­que des Hautes Études, nën mbikëqyrjen e prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Më 1984 mori doktoratën në letërsi në Universitetin e Prishtinës.

Më 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Është autor i dhjetë librave. Ishte që në nismë redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj, për afro dy dekada, punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike.

Më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Më 1989 u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë, që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komu­nist në fuqi.

Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 24 majit 1992 u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, ndërsa në mars të vitit 1998 u rizgjodh Kryetar i Republikës, kur partia e tij, LDK-ja, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elekto­ratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000. Në mbështetje të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit 2001, u zgjodh Kryetar i Kosovës.

Më 1995, iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Dani­markë; më 1996, u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë; më 1998, iu nda Çmimi Saharov i Parla­mentit Evropian; në vitin 1999, mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani; në vitin 1999 u shpall qytetar nderi i qyteteve ita­liane: Venedik, Milano dhe Breshia (Brecscia); në vitin 2000, mori Çmi­min për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë, doktoratën e nderit Honoris causa të Universitetit të Tiranës më 2004, etj..

Gjatë karrierës së tij politike u takua me shumë burrështetas perën­dimorë e botërorë.

Vdiq në Prishtinë më 21 janar 2006.

Bibliografia

Veprat:

Prekje lirike, Prishtinë, 1971;

Bibliografia e kritikës letrare shqipe, Prishtina, 1974;

Kah teoria, Prishtinë, 1978;

Kritika letrare / koautor Sabri Hamiti/, Prishtinë, 1979;

Strategjia e kuptimit, Prishtinë, 1980;

Vepra e Pjetër Bogdanit 1675-1685, Prishtinë, 1982;

Kahe dhe premisa të kritikës shqiptare 1504-1983, Prishtinë, 1985;

Refuzimi estetik, Prishtinë, 1987;

Pavarësia dhe demokracia, Prishtinë, 1991;

The Glowof Passion, një antologji e letërsisë bashkëkohore në ish-Jugosllavi, në gjuhën angleze, Prishtinë, 1991.

Marie-Françoise Allain, Xavier Galmiche: I. Rugova, La question du Kosovo, Paris, 1992;

Marie-Françoise Allain, Xavir Galmiche: I. Rugova, Çështja e Kosovës, Pejë, 1993.

Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtina, 2005.

(ashak)

—————

Lexo edhe:

IBRAHIM RUGOVA: …VETËM JAM NË DHOMË

morrisi.2019@gmail.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Dy datëvdekjet e Ali Pashë Tepelenës, 1822 apo 1830?

Thu Jan 22 , 2026
Nga Mimoza Kuchly   Kisha kohë që hulumtoja rreth “ndriçimit” të figurës së Ali Pashë Tepelenës, pas shqipërimit të një tragjedie me pesë akte, shkruar nga Lemercier, akademik francez më 1822, kur Ali Pasha ishte ende gjallë. Fatkeqësisht edhe pse kjo tragjedi “Epiri modern” pritej me padurim, siç shkruhet në shtypin […]

You May Like