Historia na mëson se sa herë që shqiptarët janë bashkuar, kanë bërë mrekullitë e tyre/ Fjalimi i plotë

0
301

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës. Të pranishëm në këtë protestë, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj!

Së pari, një përshëndetje të përzemërt, mirënjohje të pakufijshme për të gjithë ju sot në këtë protestë madhështore që keni lënë çdo gjë dhe keni ardhur nga të katërta anët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë në një protestë të revolucionit tonë demokratik paqësor. Në një protestë me të cilën ne jemi të vendosur t’i shkurtujmë orët dhe ditët, muajt kësaj qeverie anti-shqiptare me në krye Edi Ramën, i cili faktohet para Shqipërisë, shqiptarëve dhe botës si pushtuesi më i egër i këtij vendi.

Edi Rama është armik i qenies suaj. Është plaçkistësi më imadh në historinë së vendit. Është armik i miqve tanë në SHBA dhe Europë.

Në rast se ju kujtohet vite më parë, flakte si leckë flamurin amerikan. Pak vite më parë rekrutonte sikur të ishte siamez me Lukashenkon, kryezbuluesin e SHBA-ve. Një vit më parë zhduku nga faqja e dheut në Shqipëri flamurin e NATO-s, Aleancës së Atlantikut të Veriut e cila përbën sot aleancën më kryesore të paqes dhe sigurisë në botë.

Shqipëria e etërve të tij barbarë është modeli i tij. Shqiptarët, në 8 vite, u pakësuan me rreth 1 milionë banorë. Me këto ritme, Edi Rama synon që pas 16 vitesh këtu të ketë ndërtesa bosh, kampe refugjatësh,  të ketë çerdhe trafikantësh, por jo shqiptarë të vërtetë.

Ne jemi këtu për t’i thënë atij se ky revolucion nuk mposhtet nga asgjë. Se këta burra dhe gra që sheh këtu, njësoj si në vitet 90, janë misionarë të pamposhtur. Edhe atëherë, të paktë ishin ata që besonin në misionin e studentëve. Edhe sot, ka plot që nuk besojnë në misionin tonë. Por marshi i studentëve, ishte marshi i lirisë, përmbysi diktaturën dhe çliroi shqiptarët. Marshi juaj është marshi i lirisë, do përmbysë monizmin e bazuar në krimin, drogën, në vjedhjen dhe plaçkitjen.

Vëllezër dhe motra. Zonja dhe zotërinj!

Sot, secili prej jush është në një mision të madh për veten, për fëmijët, për vendin dhe kombin e tij. Një mision që do t’u japë shqiptarëve, Shqipërinë e shekullit të 21-të. Në këtë mision vështirësitë janë të mëdha, por këtë mision e përmbushin studentët, të cilët punojnë paradite në shkollë dhe pasdite nxjerrin disa të ardhura. Në darkë punojnë për të shkruar parullat, pllakatat e kësaj proteste.

Këtë mision e përmbushin të rinjtë, demokratë, por edhe socialistë të penduar, të cilët nga koha e tyre, dalin rrugicë më rrugicë, shtëpi më shtëpi për të shpërndarë thirrjet dhe fletëpalosjet e këtij revolucioni. Këtë mision e përmbushin nëna dhe baballarë, gjyshër dhe gjyshe, që kanë përcjellë me lot fëmijët e tyre jashtë, por janë sot këtu me ne, deri në fund, në emër të tyre, në emër të Shqipërisë.

Cili është qëllimi i këtij revolucioni?

Është përmbysja e monizmit të bazuar në krimin, drogën, në vjedhjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve. Kurrë në histori, një njeri nuk ka vjedhë këtë komb siç e ka vjedhur Edi Rama me organizatën e tij kriminale. Në një kohë që ju përcillni fëmijët jashtë për kafshatën e gojës, kryeministri shpirtlig, i pashpirt dhe shpirtkazmë, vendos prapa kësaj ndërtese, vazon 4 milionë euro, e mjaftueshme kjo për të blerë ilaçet një muaj të gjithë pensionistët shqiptarë. Në një kohë kur ju, gëzimet familjare, dasmat, ditëlindjet, festat e tjera, mezi i gëzoni se nuk keni para.

Ky krim-ministër shëtit me avionin e tij në dispozicion me dhomë gjumi, drekon dhe darkon me 10 mijë euro, shpenzon 22 milionë euro me fluturime. Po këto 22 milionë euro, 4 milionë euro, 10 mijë dollarë dreka, janë vjedhje xhepi për këtë, sepse vjedhje të tjera janë dhjetëra e qindra herë më të mëdha. Firmos 420 milionë euro për djegësa që nuk ekziston asnjë. Vjedh sipas kontrollit të lartë të shtetit 122 miliardë lek që mjaftojnë në 9 muaj për të rritur në 130% rrogat e të gjithë shqiptarëve. Plaçkit dhe vjedh Portin e Durrësit së paku 4 deri në 5 miliardë pasurinë më të çmuar të Durrësit dhe shqiptarëve.

Por, nuk është vjedhja e parave problemi më i madh i këtij hajduti të papërmbajtur. Vjedhja e të ardhmes sonë është akti i tij më makabër. Në 8 vite, 35 përqind e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria. Në 8 vite, secili prej nesh kemi humbur një të tretën e të dashurve tanë në dhera të tjera. Me këto ritme, Shqipëria shkon drejt shuarjes dhe zhdukjes. Dhe ky mendon se do jetojë diku në Karaibe, apo në ishujt e nxehtë të Oqeanit Indian.

Ne jemi këtu për t’i thënë: Edi Rama, sot ke para, ke banka, sot ke çdo gjë. Por me asgjë nuk mundesh kurrë të mposhtësh idealet e këtyre qytetarëve. Me asgjë nuk mund të mposhtësh idealet e këtij revolucioni.

Sot, pasi asgjësoi PS-në, i hoqi të drejtat, votën dhe çdo gjë. E uzurpoi me sektin antishqiptar të Rilindjes, ai kërkon të asgjësojë PD-në. Mendon dhe beson se do na përjashtojë nga zgjedhjet. Edi Rama, ne do të përjashtojmë nga Shqipëria! Ne jemi këtu sa të jetë toka, nuk lëvizim kurrë. Revolucioni ka misionin e madh të demokracisë, lirisë dhe shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ju falenderoj shumë!

Miq, çfarë vjen prej Zotit, mirë se ardhtë! Shi kemi, por do vazhdojmë.

Ndaj, shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje çdo të riu dhe të reje shqiptar: bashkohuni me këtë revolucion. Revolucionet i bëjnë të rinjtë, idealet e të rinjve, guximi i të rinjve, energjia e të rinjve i bën ata të pathyeshëm para asgjëje. I bëjnë ata të triumfojnë mbi çdo gjë.

Luftoni për veten, për të ardhmen tuaj, për vendin tuaj.

Jam këtu për t’ju bërë thirrje mbarë socialistëve shqiptarë. Bashkohuni me këtë revolucion. Idealet tuaja nuk janë vjedhja, nuk janë shkretimi i Shqipërisë, nuk janë shkatërrimi i vendit. Bashkohuni me ne ta shpëtojmë Shqipërinë!

Revolucioni nuk është i Sali Berishës, por është i çdo shqiptari që e do Shqipërinë.

Një thirrje vëllazërore do t’u drejtoj sot të gjithë atyre që i shohin forcat politike me mosbesim, që janë të dëshpëruar, që janë të zhgënjyer dhe vazhdojnë rrugën në vetminë e tyre.

Unë u them se keni shumë arsye për të qenë të dëshpëruar dhe të zhgënjyer, por kurrë nuk mund të keni arsye për të qenë indiferentë. Nuk ka gjë më vrastare për të ardhmen se indiferenca! E keqja nuk kërkon asgjë tjetër për të triumfuar vetëm indiferencën e njerëzve të mirë si ju. Ndaj bashkohuni me ne për të hedhur këtë kalbësirë që po rrënon qënien tonë, kombin tonë, vendin tonë.

Një thirrje u bëj të gjithë punonjësve të administratës shtetërore, mos harroni se në ligj dhe moral, ju nuk jeni badigardë as shërbëtorë të një organizate kriminale që kryesohet nga Edi Rama, por jeni shërbëtorë të qytetarëve. Sot ju përjetoni një terror dixhital dhe të gjithanshëm. Edi Rama ju aka shndërruar ju në një qënie virtuale. Bashkohuni me ne në këtë revolucion të përmbysim këtë organizatë kriminale. Të shpëtojmë Shqipërinë prej saj.

Të dashur qytetarë dhe qytetare!

Revolucioni ynë ka për qëllim madhor t’i japë goditje përfundimtare varfërisë së qytetarëve shqiptarë. Ne e konsiderojmë varfërinë nënën e të këqijave që ka sjellë Edi Rama. Varfëria luftohet duke mbi-dyfishuar rrogat, pensionet, duke përgjysmuar taksat, duke përgjysmuar çmimin e energjisë.Varfëria luftohet duke investuar në infrastrukturë për ju, në shkolla, spitale, duke krijuar pra kushtet që ju meritoni. Varfëria luftohet duke luftuar krimin e organizuar, korrupsionin me zero tolerancë.

Dhe u garantoj se ne do të dalim fitimtarë nga kjo betejë.

Por jo vetëm varfërinë. Ne duhet të luftojmë tiraninë, dhunimin e lirisë që i bën Edi Rama votës së lirë. Ai po përpiqet në grahmat e fundit t’i japë goditje fatale pluralizmit. Por ne jemi këtu për t’u betuar se revolucioni ynë do ta fshijë nga faqja e dheut cilindo që guxon të luajë me pluralizmin në Shqipëri, me lirinë e shqiptarëve.

Koha është e misionarëve, e atyre djemve dhe vajzave, të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që qëndrojnë në këmbë mbi kohën, në kreshtat e saj, të pamposhtur, drejt të ardhmes.

Historinë e kemi patur të mbushur me pushtime, me dhimbje dhe me vuajtje, por nuk jemi nënshtruar kurrë. Kemi triumfuar në të gjitha betejat tona për liri. Do triumfojmë edhe në këtë betejë si misionarë të revolucionit demokratik.

Kjo kërkon të bashkohemi, të bashkohemi, të bashkohemi!

Historia na mëson se sa herë që shqiptarët janë bashkuar, kanë bërë mrekullitë e tyre.

Le të bëjmë edhe ne mrekullinë tonë, të shndërrojmë vitin 2023 në vitin e mrekullisë shqiptare.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Zoti ju bekoftë ju, flamurin dhe kombin tonë!