Frederik Rreshpja është poet i njohur. Frederik Rreshpja lindi në Shkodër më 1940. Disa biografë ditëlindje të tij marrin vitin 1941. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Shkodër. Për shkollimin e tij të mëtejm nuk ka të dhëna të mjaftueshme, por dihet se në vitin 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi „Rapsodi shqiptare“. Kjo vepër dhe punimet e tij të botuara në gazetat e përditëshme dhe revistat e kohës u pritën mirë nga kritika e avancuar, por u morën edhe si shembull për ta ndëshkuar. Frederik Rreshpja u burgos dhe vuajti 17 vjet burg. Ai, herët ishte kualifikuar si armik i vendit, që kur ishte nxënës i fillores, kur një fqinj i tij, puntor i Shërbimit informativ, nuk e la vajzën e vet të shoqërohet me Rikun.
Opusi krjiues i Frederik Rreshpjes nuk dihet në saktësi, por, thuhet se ka thasë përplot me dorëshkrime. Pasi doli nga burgu, botoj vëllimet “Erdhi ora të vdes përseri“ – 1994, „Lirika të zgjedhura“ – 1996, përmbledhje kjo që u shpall më e mira për vitin përkatës, si dhe vëllimin me poezi “Në vetmi“ që u botua në vitin 2004, i cili ia solli titullin –poet i vitit 2004.
Në një intervistë të botuar në vitin 1992 Frederik Rreshpja pat thënë: „…Gjithë ç’kam pasur e kam humbur. Nuk ankohem nga fati im…Nëse rri me njerëz, këtë e bëj vetëm për edukatë…Kohën e kaloj në dhomën time, i vetmuar…“. Megjithëkëtë, Riku, siç e quanin shokët, të cilët i kishte të paktë pasi doli nga burgu, jetonte në Tiranë, por shpesh ndodhej edhe në Shkodër në ndonjë promovim apo manifestim kulturor. Nuk ishte i interesuar që të përcaktohet politikisht, sepse thoshte, “… mua nuk më intereson politika. Arti është më i gjërë…“, andaj Frederiko Rreshpja iu përkushtua punës letrare. Ai ishte kryeredaktor i gazetës „Ora“, udhëheqës i një shtypshkronje dhe pronar i Shtëpisë Botuese „Evropa“, veprimtari këto që nuk i sollën përfitime të mëdha, por kishte pasuri të madhe bujarinë e tij, sepse, edhepse e dinte se kush ishte denoncuesi që e rraskapiti nëpër burgje, ai nuk u hakmor.
Poezitë Frederik Rreshpjen e bënë të famshëm që herët, sepse u përfaqësua në antologji të ndryshme e në literaturën shkollore, por, pasi e denoncuan, ato ia hoqen. Mirëpo, për të edhe më tej shkruhet në superlativ. Ja çka thonë disa njohës të letërsisë, e posaçërisht të poezisë: Hans Joacim Lanksch „… vepra e Frederik Rreshpes është poezi e dorës së parë e kalibrit europian“, Robert Elsie :“… që në rininë e tij Rreshpja ka qenë një poet tronditës“, Henri Izrael, botues amerikan: “… është një poezi tronditëse dhe me një mjeshtëri që ne amerikanëve na mungon“, Ivanov, kritik rus: „… ne kemi Pushkinin, Jeseninin, dhe shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë një poet të tillë“. Leo dë Rua, kritik francez: “… u trondita nga ky njeri që përmban një gjenialitet ballkanik, që është vendi i lindjes së artit,“ Ismail Kadare: “… Frederik Rreshpja është ndër poetët më të mirë të Shqipërisë“.
Frederiko Rreshpja jetonte në Tiranë, i vetmuar, sepse nuk ishte i martuar. Vdiq 17 shkurt Shkodër, nga një sëmundje e zemrës, i rrethuar nga vëllëzërit dhe familja e gjërë, dhe u varros më 18 shkurt 2006, në varrezat „Rrëmaj“ të kishës katolike në Shkodër.
BURIMI NGA : https://www.teksteshqip.com/
Poezi nga Frederik Rreshpja
UDHA E LIQENIT
Unë kam kaq nevojë për ty,
Më shumë se ky liqen për përrenjtë.
Se dora ime nuk rastësisht mbi supin tënd
Si bien duart e shelgjeve të reja mbi supet e valëve.
Dhe në qoftë se ndonjëherë ikën
(mos e thuaj!),
Ashtu si ikin dhe ndërrojnë drejtim përrenjtë
(ah, mos e thuaj!),
Diku në brigjet e shpirtit tim do kumbojë
Kënga e lashtë popullore e liqeneve të tharë,
Duke imagjinuar ardhjen tënde,
si ndër legjenda,
në formën e shiut
ose formën e vesës,
mbi rërën e orëve,
bile mbi vite të tëra;
se dora ime nuk ra rastësisht mbi supin tënd,
si bien duart e shelgjeve mbi supet e valëve!

LIRIKË
Po ik nga bregdeti.
Ndër mend i kam ende
Portokallet që më ngjajnë me yjet e verës.
Tani,
lamtumirë!
Nën këto mijra drita të vogla që i lëkund era në muzg
Mbledh motivet ajrore të rivierës.
Ujna të qeta,
të dashtuna mu si kangë himarjote,
U dëgjoj që dallgëzonin brenda meje si ujvarë.
Po niset autobusi.
Portokalle, digjuni mbi mue!
Gjithë peizazhi rrotull rend në dritare…

ALPET
Lugina të kaltërta,
ku mbijnë agimet.
Përrenj që zbresin si kope të bardha,
Shkrepa pleq,
të menduam,
të vrazhdë.
Dhe,
përmbi këta,
Buzëqeshja e kaltër e qiellit.

MË MORI MALLI PËR DETIN!
Për fjalët e ngrohta të ojnikut,
Për hijet e dridhshme të anijeve
Që zgjaten deri te yjet
Dhe për netët peshkatare,
Kur çan valët tehu i mprehtë i hanës.
Më mori malli për dritat e dashtuna të Durrësit
Që i kundroja mbrëmjeve,
në breg të tij;
Më mori malli
Ndaj endem,
endem
Nën vargje të tilla që stërpikin kaltërsi.

ATËHERË VAR KËTË KËNGË
N’krahnorin tand të hekurt, si dekoratë,
Këtë kangë të ngarkueme
Me siluetat e qyteteve tona,
Me mbrëmjet, yjet dhe hijet e maleve tona
Që të shkëlqejnë nën dritën e predhave t’tua
Kur terri, po guxoi, të shtrihet në anën tonë.
Atëherë var këtë këngë
N’krahnorin tand të hekurt, si dekoratë,
Këtë kangë të ngarkueme
Me siluetat e qyteteve tona,
Me mbrëmjet, yjet dhe hijet e maleve tona
Që të shkëlqejnë nën dritën e predhave t’tua
Kur terri, po guxoi, të shtrihet në anën tonë.

LIRIKË FSHATI
Lamtumirë!
U flas fushave, lumit, korijes.
Më duhet të dal nga ky peizazh i bukur.
Unë vetë jam tani një lëvizje ngjyrash
Prerë nga pëlhura e gjelbër e luadheve.
E di që era e kories do të thërrasë breglumit,
ku janë ulur shelgjet si ciganë…
Fshat i dashur!
Këtu edhe delet më njohin,
se unë kam pirë me barinjtë në çdo stan.
Dhe kooperativistët pleq dalin gardheve:
-Fred, eja në kopshtin me mollë!
Zjarret e vogla të çibukëve, si flutura alle,
Lëvizin dhe mblidhen nëpër kopshte.
BURIMI NGA : https://exlibris.al/