PROF. LULASH PALUSHAJ – FIGURË E DIJES, E TRADITËS DHE E NDËRGJEGJES KOMBËTARE

(Shkruan: Prof. Gjon Frani Ivezaj)

Në historinë e Malësisë së Madhe dhe të mbarë kombit shqiptar, ka familje dhe figura që përfaqësojnë një vazhdimësi të rrallë të trimërisë, të nderit dhe të dijes, ku brezat lidhen me njëri-tjetrin jo vetëm nga gjaku, por edhe nga ideali. Një nga këto figura është pa dyshim Lulash Palushaj, profesor, shkrimtar, veprimtar kombëtar dhe intelektual i përmasave të veçanta, i cili me jetën dhe veprën e tij nderon Malësinë, Shqipërinë e Veriut dhe diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prof. Lulash Palushaj lindi në Bekajt e Trieshit në vitin 1944, në një familje të njohur e të respektuar në mbarë Malësinë mbi Shkodër, një derë me rrënjë të thella në histori, në traditë dhe në qëndresë kombëtare. Ai vjen nga oxhaku i Nik Dul Gjelosh Ujkës, familje e njohur në Triesh, në Malësi, në Shkodër, në Plavë e në Guci, e cila ndër shekuj ka nxjerrë burra trima e djelm azgana, të njohur për bujari, besë, trimëri dhe përkushtim ndaj çështjes kombëtare.

Në vitin 1907, në Urën e Lemajës, kjo familje – Dulajt, babai i profesorit me axhallarë, kushërinj e vëllazni – së bashku me trimat e Trieshit, treguan heroizëm të pashoq kundër ushtrisë turke. Ata luftuan si luanë mes luanësh, me shpata, me barut, me zjarr e me hekur, duke e sulmuar dhe shkatërruar garnizonin turk. Në atë përballje të përgjakshme, trimat e Dulajve dhe të Trieshit i dhanë ikjen ushtrisë osmane, e shpartalluan dhe e dogjën garnizonin e saj, duke lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën historike të Malësisë. Kjo frymë qëndrese, ky zjarr i lirisë dhe i nderit, u trashëgua brez pas brezi dhe u bë pjesë e formimit shpirtëror të Lulashit.

Ai u rrit në gjirin e një familjeje fisnike, nën kujdesin e babait të tij, Nik Dulit, burrë me autoritet dhe traditë, dhe të nënës sojnike, Katrinë, e cila i mëkoi dashurinë për dijen, ndershmërinë dhe përkushtimin. Qysh i vogël u dallua për zgjuarsi, për natyrë të butë, për zemërgjerësi dhe për një etje të pashuar për mësim. Shkollimin fillor e nisi në Triesh, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në Shkup, në kohën e ish-Jugosllavisë, me rezultate të shkëlqyera. Studimet universitare i vijoi në Prishtinë, ku u diplomua me sukses të lartë, duke dëshmuar një formim të fortë intelektual dhe një përgatitje të admirueshme akademike.

Pas përfundimit të fakultetit u kthye në vendlindjen e tij dhe punoi si profesor në trojet e veta shqiptare në Mal të Zi, në atë kohë nën regjimin e ish-Jugosllavisë. Ai nuk ishte thjesht një mësimdhënës, por një formues karakteresh, një edukator i brezave, një dritë dijeje në një kohë të errët për arsimin shqiptar. Nga dora e tij dolën nxënës që më vonë u bënë doktorë, profesorë, akademikë, inxhinierë e profesionistë të shquar. Ishte profesor me kulturë të gjerë, me mendim të thellë dhe me një autoritet moral që buronte nga dija dhe nga ndershmëria.

Por fakti që ishte intelektual i zgjuar, profesor shqiptar dhe burrë me qëndrim kombëtar, e vendosi në syrin e komunizmit jugosllav. Edhe pse ndodhej në trojet e veta shqiptare në Mal të Zi, ai u bë objekt presionesh dhe kërcënimesh nga strukturat e diktaturës së kohës, të cilat e shihnin me dyshim çdo figurë të formuar e me ndërgjegje kombëtare. Në atë klimë survejimi e armiqësie ndaj intelektualëve shqiptarë, jeta e tij u bë e vështirë dhe e rrezikuar.

I detyruar nga rrethanat, ai mori rrugën e mërgimit dhe u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shtetin e Miçiganit, në qytetin e Detroitit. Në Amerikë ai nuk ushtroi profesionin e mësimdhënësit në institucione arsimore, por i përkushtoi gjithë energjinë edukimit të familjes së tij, duke i rritur fëmijët me shkolla e fakultete, me kulturë të lartë dhe me tradita e zakone shqiptare, duke ruajtur identitetin kombëtar në tokë të huaj. Ai ndërtoi një familje të arsimuar dhe të formuar, duke dëshmuar se edukimi fillon në vatër dhe se trashëgimia më e madhe është dija dhe karakteri.

Në diasporë, Prof. Lulash Palushaj u bë një zë i fuqishëm i çështjes kombëtare. Mori pjesë në organizata e shoqata shqiptare, në demonstrata dhe aktivitete kundër shovinizmit jugosllav dhe kundër diktaturës komuniste, duke ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, për çlirimin e Kosovës dhe për bashkimin shpirtëror të trojeve shqiptare. Ligjëratat e tij para mijëra bashkatdhetarëve, përfshirë edhe protesta në New York para institucioneve amerikane, kanë mbetur shembull i oratorisë së kulturuar, të argumentuar dhe të mbështetur në dokumente historike.

Ai është autor i 18 librave, të botuar në Tiranë, Lezhë e Shkodër, vepra që janë vlerësuar nga intelektualë të trojeve shqiptare për thellësinë e analizës, për pasurinë gjuhësore dhe për frymën e fortë atdhetare. Në shkrimet e tij ndërthuren historia, tradita, filozofia dhe përvoja jetësore, duke krijuar një trashëgimi të çmuar për Malësinë dhe për kombin shqiptar.

Prof. Lulash Palushaj ka ligjëruar në shumë simpoziume në Kosovë, në Shqipëri, në Tuz e në Malësinë e Madhe, duke u nderuar me medalje dhe mirënjohje nga organizata të ndryshme. Ai është dekoruar si “Intelektuali dhe Patrioti i Maleve të Malësisë” për kontributin e tij të madh në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në afirmimin e vlerave shqiptare.

Veçanërisht i paharrueshëm mbetet ligjërimi i tij më 20 shkurt 2026 në New York për veprimtarin Anathas Gegaj, ku fjala e tij, e rrjedhshme, e dokumentuar dhe me thellësi historike, u vlerësua si e pakrahasueshme nga personalitetet e pranishme dhe u cilësua si një nga fjalimet më të fuqishme të mbajtura në komunitetin shqiptar të diasporës.

Prof. Lulash Palushaj mbetet sot një figurë e nderuar dhe e respektuar në të gjitha trojet shqiptare, një profesor mbi profesorë për nga kultura dhe integriteti, një intelektual i zgjuar, patriot i përkushtuar dhe simbol i dinjitetit malësor. Jeta dhe vepra e tij dëshmojnë se dija është forcë, se karakteri është pasuri dhe se dashuria për kombin nuk shuhet as në mërgim, por bëhet edhe më e fortë, si një zjarr që ndriçon brezat që vijnë.

morrisi.2019@gmail.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Like